IADSA II - Konferenca e çeljes së Thirrjes së Dytë për Propozime-31/03/2023
Në datën 31 Mars 2023 u mbajt në Hotel Tirana International, Konferenca e çeljes së Thirrjes së Dytë për përzgjedhjen e projekteve të Programit Italo - Shqiptar të Konvertimit të Borxhit (IADSA II), me praninë e Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Z. Fabrizio Bucci, Ambasadorit të Italisë në Shqipëri. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe Z. Ilir Beqaj, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) dhe Znj. Stefania Vizzaccarom Përfaqësuese e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor (AICS) Stefania Vizzaccaro.
Objektivat e thirrjes kanë të bëjnë me fushat prioritare të mëposhtëme: arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor, shërbimet shëndetësore publike dhe mjekësia parandaluese, shërbimet e asistencës sociale për personat në vështirësi, përfshirja sociale e subjekteve vulnerabël, zhvillimi i qëndrueshëm territorial, rritja e turizmit kulturor dhe shqiptar, menaxhim më i mirë i mbetjeve urbane, ndërgjegjësim për përdorimin e energjive të rinovueshme, promovim i zhvillimit bujqësor dhe zgjidhje inovative për zonat e mbrojtura dhe ekosistemet e brishta.
Thirrja e Dytë dhe shtojcat e saj mund të shkarkohen nga faqja download e IADSA-s http://www.iadsa.info. Afati i fundit për dorëzimin e projekteve është data 22 Maj, 2023 ora 12:00 (mesditë).